RRETH NESH

Me qëllim përmbushjen e asaj që quhet “qëllimi final i drejtësisë”, është projektuar filozofia dhe misioni tejet i rëndësishëm i Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor. Ky shërbim, është tashmë një pjesë integrale, e unifikuar me procesin e gjykimit, e destinuar për të realizuar praktikisht thelbin e të drejtave të njeriut, çka përbën detyrën themelore të shtetit të së drejtës. Hallka ekzekutive e procesit kompleks të dhënies së drejtësisë nuk është thjesht një institucion i së drejtës, por është tashmë një element i konstitucionalizuar edhe nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në Shqipëri, modeli i shërbimit përmbarimor të ofruar është një model miks, ku kombinohet shërbimi përmbarimor shtetëror dhe ai privat. Shërbimi përmbarimor privat u zhvillua për t’i dhënë një performancë më të vitalizuar dhe më efikase ekzekutimit të detyruar të titujve ekzekutivë dhe ushtrohet nga përmbaruesit privatë dhe shoqëritë përmbaruese private.

Edhe pse e organizuar në baza private, këtij shërbimi i njihet një karakter publik dhe nënligjor pasi i nënshtrohet Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil, ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, si edhe akteve të tjera ligjore apo nënligjore në zbatim të tij.

Në këtë kontekst, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë është një aktore energjike në procesin e reformës ligjore në Shqipëri dhe është institucioni përgjegjës për përfaqësimin profesional të përmbaruesve gjyqësorë.

E krijuar në dhjetor të 2010-s fillimisht me 62 përmbarues të licencuar dhe sot e përbërë nga një numër prej144 përmbaruesish aktivë, Dhoma funksionon si një organizim i pavarur nga shteti.

Nga pikëpamja e strukturës dhe organizimit, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë përbëhet nga Asambleja e Përgjithshme, organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes e cila zgjedh çdo 4 vjet organet drejtuese të Dhomës si: Kryetarin e Dhomës, nënkryetarin, sekretarin e Përgjithshëm dhe 7 anëtarët e Këshillit Drejtues.

Shërbimi përmbarimor gjyqësor privat ushtron veprimtarinë në një juridiksion kombëtar pa asnjë pengesë apo kufizim territorial. Aktualisht përmbaruesit gjyqësorë privatë kryejnë aktivitet duke shërbyer në shumicën e qyteteve të Shqipërisë.

Gjatë 10 viteve të shërbimit përmbarimor privat, shteti dhe skepticizmi ndaj përmbaruesit gjyqësor privat nuk reshti së sfiduari punën e tij veçanërisht përgjatë periudhës 2018-2020. Por mbi profesionin dhe shërbimin publik, përmbaruesit privatë nuk kanë lejuar asnjë kompromis.

Përmbaruesit privatë vazhdojnë të shërbejnë me zell dhe profesionalizëm në gjithë Shqipërinë dhe përgjatë 1 dekade punë,  kredibiliteti i ofrimit të këtij shërbimi prej tyre, ka marrë një dimension të rëndësishëm për publikun, shtetin dhe vetë sistemin e drejtësisë.

Përmbaruesit privatë besojnë se e ardhmja e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore në Shqipëri do të jetë atribut vetëm i shërbimit përmbarimor privat, pasi shteti dhe të gjithë qytetarët kanë nevojën e padiskutueshme të delegojnë kërkesat ligjore dhe përmbushjen e tyre tek ata, përmbaruesit gjyqësorë privatë.

Harta e Shpërndarjes së Përmbaruesve